Trajneri i ri i Barcelonës bën rrëfim special: Dje po ecja rreth lopëve, sot po stërviti më të mirët e botës

Quique Setien është emëruar trajneri i ri i Barcelonës pas shkarkimit të Ernesto Valverdes në mbrëmjen e së hënës.

Ish-trajneri i Real Betisit dhe Las Palmasit është i entuziazmuar postin e ri derisa ka bërë të ditur se as që e kishte imagjinuar rolin e trajnerit te Barcelona, shkruan Zëri.

Barcelona shkarkoi mbrëmë Valverden pas dështimit në Superkupën e Spanjës, derisa atë e zëvendësoi me Quiquie Setien, trajner i cili u prezantua sot para futbollistëve në stërvitje.

“Dua ta falënderoj klubin, presidentin, drejtorin Eric Abidal dhe Ramon Planesin për mundësinë që më kanë dhënë që të jem këtu. As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk do të mund ta imagjinoja këtë, që do të isha këtu”, u shpreh fillimisht Setien.

“Kjo është një ditë e veçantë për mua, Por, fillimisht dua ta falënderoj klubin dhe gjëja e radhës për të cilën jam shumë i emocionuar është ky projekt dhe kjo sfidë që më është besuar”, vlerëson trajneri spanjoll.

“Deri dje po ecja rreth lopëve në fshatin tim, kurse sot jam këtu duke i stërvitur futbollistët më të mirë në botë. Unë kam folur me futbollistët dhe vullneti që e kanë ata është i jashtëzakonshëm”, tregon më tej Setien.

“Unë e kam shijuar veten duke e shikuar Barcelonën dhe këta lojtarë gjatë viteve të fundit. Ende s’jam plotësisht i vetëdijshëm se çfarë do të thotë të jesh trajner i lojtarit më të mirë në botë. Një gjë është adhurimi dhe një gjë tjetër është që të gjithë ta kenë vendin e vet”, deklaroi Setien.