Tovërlani komenton futbollistët e Superligës së Kosovës: Jo të gjithë mund të luajnë në Kombëtare

Trajneri i njohur kosovar, Afrim Toverlani beson se Kosova e meritoi së paku barazimin në ndeshjen e sotme ndaj Suedisë.

Kosova u mposht sot nga Suedia (1:0) në ballafaqimin e zhvilluar në Doha të Katarit – ku në ekipin e Kosovës shumica e lojtarëve ishin nga Superliga e vendit tonë.

“Toki” thekson se lojtarët nga Superliga patën paraqitje të mirë sot, por gjithashtu u vërejt se disa lojtarë nuk mund të luajnë për kombëtaren A të vendit tonë.

“Ishte një ndeshje e mirë. Mendoj se jo të gjithë e arsyetuan ftesën, por s’duhet harruar se është hera e parë qe janë ftuar dhe nuk është se ka pasur kohë të harmonizohet ekipi për kaq ditë, por janë të rinj shumica dhe do të kenë përsëri raste. Mendoj që shumica e tyre luajtën mire – mirëpo u pa që jo të gjithë mund të luajnë në ekipin e Kosovës”, tha fillimisht Toverlani për ‘GazetaBlic’.

Trajneri kosovar më pas zbuloi edhe disa nga arsyet që çuan në humbjen e Kosovës në këtë sfidë.

“Mund të them që koha e shkurtër për të krijuar një ekip homogjen ishte faktori kryesor i humbjes. Rastet i patëm, por nuk i shfrytëzuam – sepse meritonim së paku barazimin. Mbi të gjitha kjo është mirë dhe i ka shërbyer selektorit me bashkëpunëtor të shofin se në cilët lojtarë mund të llogarisin në të ardhmen. Këto tubime janë shumë të rëndësishme dhe shpresoj që është shfrytëzuar maksimalisht nga të gjithë”, përfundoi Afrim Toverlani.