Skuadra e Maganit bojkoton stërvitjet, shkak pagat!

Situatë kaotike te skuadra e ish-trajnerit të Trepçës ’89, Gugash Maganit, Besa, në prag të ndeshjes delikate ndaj Apolonisë. 

Skuadra kavajase ka bojkotuar stërvitjen pasi futbollistët dhe stafi teknik kanë disa muaj pa u paguar, njofton Panorama Sport.

Skuadra duhet të paraqitej në stërvitje në orën 13:00, por për shkak krizës financiare e cila po kalonte çdo kufij, futbollistët dhe stafi teknik, e panë të arsyeshme, të mos dilnin në stërvitje, me shpresën që kjo situatë kaotike do të zgjidhet sa më shpejt.

Kjo nuk është hera e parë që klubet shqiptare, kanë problem me financa.

Kujtojmë që në një situatë të ngjashme janë edhe disa nga klubet e Superiores, të cilat kanë muaj pa u paguar.

Në orët në vijim, pritet reagimi i presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, në lidhje me këtë situatë. Për sa i përket klasifikimit, kavajasit ndodhen në vendin e 4-t. teksa në 15 javë kanë arritur të sigurojnë 24 pikë.