Shkëndija bën goditje të madhe, transferon futbollistin e njohur

Një lajm bombë na vjen nga Tetova, e që ka të bëjë me skuadrën kampione në fuqi, Shkëndijën. Siç mëson “infOSport.mk”, drejtuesit “kuqezi” kanë precizuar të gjitha detajet për rikthimin e ish kapitenit të tyre, Egzon Bejtullait, i cili javë më parë për arsye familjare prishi kontratën me skuadrën suedeze të Helsinborgut.

Egzon Bejtullai u transferua në Suedi në janar të këtij viti, kur firmosi kontratë tre vjeçare me Helsingborgs IF, pas 6 sezoneve shumë të suksesshme me Shkëndijën e Tetovës, për të cilën skuadër numëron 190 ndeshje zyrtare dhe 7 gola të shënuar.

Largimi i tij la një zbraztirë të madhe në mbrojtjen e “kuqezinjëve” nga Tetova, të cilët me këtë veprim dëshmojnë se janë për të bërë sërish një Shkëndijë shumë të fuqishme, që do të luaj rolin kryesor në futbollin vendor, por edhe në garat europiane, ku këtë vit do të luaj në ndeshjet eliminatore të Liga Europa, edhe atë si bartës liste.

Me Bejtullain në mbrojtje, një kampion të vërtetë, mbrojtja e Shkëndijës ka përfituar në kualitet, duke pasur parasysh se mbrojtësi 26-vjeçar në vazhdimësi po luan titullarë edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë, ndërsa nuk duhet harruar se ishte lojtar standard në suksesin historik të gjeneratës së Maqedonisë U21 e cila në vitin 2017 luajti në Kampionatin Europian për të rinjë në Poloni.