FC Prishtina ka vendosur përfundimisht që Debatik Curri të jetë pasuesi i trajnerit Ismet Munishi, një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Nacionale vetë drejtori sportiv Driton Krasniqi.
“Bardhëkaltërit” shkaku i rezultateve negative shkarkuan Munishin gjatë javës së kaluar, duke e lënë në krye asistentin Curri për dy ndeshjet e radhës.
Gazeta Nacionale javën e kaluar njoftoi se Prishtina ishte në bisedime me dy trajnerët e njohur, Ramiz Krasniqi (ish përzgjedhës i Kosovës U19) dhe Ardian Nuhiun (ish trajner i Dritës).
Sidoqoftë, ajo fitore e madhe ndaj Ballkanit në Kupën e Kosovës ndryshoi gjërat për mirë për Currin. Falë atij kualifikimi, emri i tij hyri menjëherë në opsionet e mundshme të klubit dhe tani fitorja e sotme ndaj Drenicës ka ndikuar që ai të jetë trajneri i ‘bardhëkaltërve’ për pjesën e mbetur të sezonit.
Drejtori sportiv i Prishtinës, Driton Krasniqi për Nacionalen konfirmoi se Curri është pasuesi i Ismet ‘babës’.
“Nga momenti që ndamë rrugët me Ismetin, Prishtina ia ka besuar pozitën Debatikut“.
“Ai do të vazhdojë të jetë me ne deri në fundin e sezonit dhe më gjatë“, deklaroi ai.
Nën urdhrat e Currit, Prishtina pas dy ndeshjeve ka një rekord 100 për qind, pasi mposhten me rezultat komod 2:0 Ballkanin, derisa të shtunën morën një fitore minimale në udhëtim te Drenica (0:1).
Tani, skuadra nga kryeqyteti do të jetë në një pushim dyjavor shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare.
Prishtina momentalisht renditët në pozitën e katërt në tabelë me 35 pikë të mbledhura, që është 17 më pak se lideri Drita, por objektivi i klubit vazhdon të jetë dalja në Evropë të cilën shpresojnë ta arrijnë përmes Kupës.