Këshilltarja e Vedat Muriqit zbulon interesimin e klubeve italiane për Muriqin

Vedat Muriqi u intereson klubeve italiane, por edhe sulmuesit të Kombëtares së Kosovës i intereson që të transferohet në Serinë A.

Konfirmimi vjen për TMW nga një prej përfaqësueseve ligjore të sulmuesit për Italinë, Françeska Alfierit.

Lojtari është kthyer në objektivin e merkatos të shumë klubeve në Itali, Angli e Gjermani, siç konfirmoi ajo.

“U pëlqen klubeve të ndryshme, kjo është e vërtetë. Por më shumë në këtë fazë është e vështirë të thuhet, më mirë të mos merremi me detaje. Napoli e Lacio interesohen? Nuk mundem as të konfirmoj dhe as të përgënjeshtroj. Padyshim është një lojtar që ka rënë në sy dhe po tërheq vëmendjen e shumë klubeve elitare. Ka disa bisedime, të shohim si do të shkojnë përpara”, theksoi Alfieri.

Avokatja italiane konfirmoi se paratë e klubeve angleze, nuk ishin shqetësim, pasi vetë futbollisti kishte preferencë të luante në Itali.

“Nuk është e thënë, përkundrazi, mund të them se në këtë moment prioriteti i tij do të ishte ai që të luante në Itali. Ndoshta edhe për një faktor kulturor, ai është kosovar e si rrjedhojë shqiptar me origjinë. Në këto ditë të vështira, e kemi parë se sa e ngushtë është lidhja mes Italisë dhe Shqipërisë, të vijë në vendin tonë do të ishte zgjedhja e tij e parë”, theksoi Alfieri.