Genc Sermaxhaj: Drita favorite absolute, në përparësi ndaj Gjilanit në të gjitha aspektet!

Genc Sermaxhaj i ka dhënë përparësi të madhe Dritës përballë Gjilanit skuadër kjo të cilën e sheh në presion pas eliminimit javën e kaluar nga Kupa.

“Drita e Gjilani do të takohen për herë të dytë në këtë kampionat por kësaj here me të përforcuara dhe me objektivin e vetëm për të dyja ekipet”.

“Në të gjitha drejtimet ekipi i Dritës është në përparësi ndaj ekipit te Gjilanit duke filluar nga cilësia e lojtarëve, mënyra e lojës dhe po ashtu edhe në aspektin psikologjik”.

“Të dyja ekipet janë të eliminuara nga gara e Digitalb Kupës dhe ndoshta kjo për Gjilanin mund të ketë ndikim më negativ për të pasur paraqitje të mirë në derbi sepse ata janë eliminuar nga Drenica që nuk është aspak e barabartë me ta, e gjithashtu janë eliminuar nga rruga më e mirë për ta që të dalin në Evropë”.

“Dhe po ashtu janë eliminuar që në javën e kaluar, ndërsa Drita e ka harruar eliminimin e saj që e kanë pësuar muaj më parë dhe fokusi i tyre prej muajsh është titulli i kampionit”, ka thënë Sermaxhaj për Zëri.info, duke shtuar se humbja në këtë ndeshje do të ketë ndikim të keq në vazhdim.

“Humbja për njërin ekip mund ta destabilizojë gjatë ndeshjeve në vijim prandaj është e rëndësishme për të dyja të arrijnë qëllimin e vetëm. Në këtë ndeshje Gjilani në lojë ka edhe mungesa sidomos në qendër të mbrojtjes e cila ka futbollistë të lënduar e të ndëshkuar me karton të kuq nga ndeshja e Kupës, ndërsa Drita në lojë hyn e kompletuar dhe e gatshme maksimalisht”.

“Dua të rikujtoj se edhe në ndeshjen e parë të këtij sezoni që Drita e fitoi ndeshjen ndaj Gjilanit, pata thënë për mënyrën sesi këto dy ekipe do të luajnë, dhe e tillë doli të jetë. Prandaj edhe kësaj here mund të bëhet po e njëjta lojë”.

“Drita me më shumë kreativitet, shpejtësi e krijim të rasteve në sulm, e fuqishme në mbrojtje dhe e kujdesshme në ndërtimin e lojës së saj. Gjilani i rrezikshëm në vijën e sulmit me lojtarët që ka, por e dobët në mbrojtje me mungesat që mund të ketë, mënyra e vazhdueshme e lojës me topa të gjatë që nuk po sjell fryte, pa posedim të madh të topit e shumë pak raste shënimi”, përfundoi Sermaxhaj.