EKSKLUZIVE: Gazeta Olle zbulon listën me nënshkrime për shkarkimin e Agim Ademit, shumë prej tyre nuk përfaqësojnë klubet

Lista, nënshkrimet, votat. Të tri fjalët prej muajsh kanë qenë ‘hit’ nëpër media.

Madje, ka pasur deklarime të tilla sa janë mbledhur 41 nënshkrime, pastaj 31 etj etj, nga opozita e FFK-së, që kërkon rrëzimin e kryetarit Agim Ademi.

Gazeta Olle ka siguruar ekskluzivisht listën e nënshkrimeve të klubeve.

Në listën prej 22 nënshkrimeve, ka klube të Superligës dhe Ligës së Parë, por që këto nënshkrime nuk janë të mjaftueshme për thirrje të Kuvendit Zgjedhor, ose për futje në Rend të Ditës votëbesimin e kryetarit Agim Ademi.

Në listë ndodhen nënshkrimet e delegatëve të Llapit (2), Trepçës ’89 (2), Ballkanit (2), Drenicës (2), Flamurtarit (2) si dhe disa klubeve të Ligës së Parë.

 

 

Por, Olle mëson se as këto nënshkrime nuk janë legjitime.

Nga Flamurtari asnjëri nga të nënshkruarit Vehbi Ademi dhe Armend Ademi nuk përfaqësojnë klubin. Delegat legjitim të klubit kuqezi janë kryetari Imer Ademi dhe drejtori Agim Hasani.

Befasia vjen nga Ballkani, ku figurojnë emrat e kryetarit Arsim Kabashi dhe Hamdi Elshanit. Ky i fundit nuk ka fare nënshkrim në listë.

 

 

Manipulimi tjetër vjen me nënshkrimin e KF Përparimi, klub ky që nuk figuron as në Superligë dhe as në Ligën e Parë, kur dihet se vetëm klubet e Superligës (2 për secilin klub) dhe nga 1 të Ligës së Parë kanë të drejtë të votojnë.

Gazeta Olle mëson se janë tetë nënshkrime, përfaqësuesit e të cilëve nuk janë legjitim për të përfaqësuar klubet në Kuvend.

Kuvendi Zgjedhor i FFK-së për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv mbahet më 27 janar.