Braktisën Kosovën për Shqipërinë, sekretari i FKK-së: Ata u larguan sepse kishin rezultate të dobëta

Pas akuzave që tre karateistët kosovarë i kanë bërë në drejtim të Federatës së Karatesë në Kosovë, kjo e fundit ka dalë në konferencë për media.

Ishin karateistët Alvin Karaqi, Orges Arifi dhe Blodin Pakashtica ata që kanë akuzuar Federatën duke treguar arsyen pse vendosën t’i bashkohen Shqipërisë.

Ndërsa sekretari i FKK-së, Nazmi Gashi, ka thënë se arsyeja e largimit të këtyre tre sportistëve ka qenë mos arritja e rezultateve të duhura.

“Unë do të kisha përmendur një varg arsyesh, por më kryesorja është mosarritja e rezultateve të duhura në Lojërat Olimpike”.

“Në vitin 2019, garat kanë startuar në Paris, Orges Arifi e ka humbur luftën e parë. Kemi pasur garën tjetër në Salzburg, po ashtu ai ka humbur luftën e parë. Edhe në Spanjë e ka humbur në luftën e parë”.

“Këtu bëhet fjalë për rezultate të dobëta dhe e kanë ndjerë vet mungesën e suksesit. Ndërsa, ne kemi investuar në ta dhe i kemi dërguar në të gjitha garat ndërkombëtare”.

“Nuk është e vërtetë që i kemi lënë në aeroport. Biletat e tyre nuk iu kanë figuruar atyre në sistem të agjencisë. Nuk ka qenë faji i ekspeditës. Ju kam thënë se do të ua rezervoj unë biletat dhe ata kanë thënë se do ta bëjnë vet përmes familjarëve të tyre”.