Pak ditë më parë, Parlamenti holandez i kërkoi Komisionit Evropian të pezullonte liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që kryejnë krime. Opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike nxitoi të shfrytëzonte kritikat e ardhura nga Holanda, duke e akuzuar edhe ajo qeverinë e kryeministrit Edi Rama se ishte fajtore për emergjencën e kriminalitetit edhe nga emigrantët.

Ndër përfaqësuesit e Partisë Demokratike që janë shprehur publikisht kundër fenomenit të emigrantëve kriminelë ishte edhe Ervin Salianji, i cili kishte qenë protagonist edhe i skandalit të famshëm të “Babales”, me përgjimet e supozuara ndaj vëllait me nënë tjetër të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Salianji kërkoi shumë herë dorëheqjen e Xhafajt pikërisht për shkak të lidhjes familjare me Agron Xhafajn, të dënuar në Itali për trafik droge dhe vëlla nga nëna i ish-ministrit.

Por, një seri dokumentesh të zbuluar nga redaksia investigative e “Shqiptarja.com” tregojnë për herë të parë në mënyrë të pakundërshtueshme se ndërmjet emigrantëve shqiptarë që kryejnë krime dhe përbaltin imazhin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është pikërisht një vëlla i Ervin Salianjit, i dënuar në fillim në Britaninë e Madhe dhe më pas i dëbuar nga Gjermania për vjedhje, i cili, sipas Policisë, kishte edhe lidhje me një trafikant kokaine me origjinë nga Korça. Ish-deputeti i PD Ervin Salianji fillimisht ka mohuar në emisionin “Opinion” vëllain e tij nga nëna.

Ai ka debatuar me gazetarin Lorenc Vangjeli, i cili e pyeti a kishte Ervini një vëlla të dënuar jashtë Shqipërisë dhe me emër të ndryshuar. Salianji ka mohuar një gjë të tillë dhe ka qenë mjaft i ashpër dhe nervoz më pas, duke shkuar deri në kërcënime ndaj gazetarit.

E vërteta, vëllai i Salianjit me tre emra

Nga verifikimet e bëra pranë gjendjes civile në ish-komunën Lozhan, e cila është drejtuar për tre mandate nga babai i Ervinit, Bujar Salianji, rezulton se ish-deputeti i Bashës ka një vëlla nga nëna. Sipas të dhënave zyrtare, personi tani quhet Alex Kacani, me emër të ndryshuar, ka lindur në Lozhan në vitin 1979 dhe është vëllai i madh i Ervin Salianjit nga martesa e parë e nënës të tij Shega, me Bedri Xhengon. Më pas ajo është martuar me Bujar Salianjin dhe ka dy djem, një prej të cilëve Ervini. Në fakt, emri i vërtetë është Klodian Xhengo, por, për shkak të problemeve me drejtësinë në vendet e Evropës ku ka qëndruar për disa kohë, ai ka ndryshuar gjeneralitetet e tij në Alex Kacani. Ai ka ndryshuar edhe emrin, edhe mbiemrin, për të fshehur çdo gjurmë të dënimit të tij. Fillimisht ka ndryshuar mbiemrin nga Xhengo në Kacani, në komunën Gorë më 14.01.2005, ndërsa emrin në Bulgarec më 28.01.2005. Pra, emri i parë i tij është Klodian Xhengo, i dyti është Klodian Kacani, i treti është Alex Kacani dhe i katërti Ajet Kacani. Ndërkohë, nga një dënim në Irlandën e Veriut, ai rezulton me emrin Ajet Kacani.

Certifikata familjare

Sikundër provohen edhe nga dokumentet, edhe pse ish-deputeti demokrat është përpjekur që të fshehë vëllain e tij të madh, familja Salianji, sipas certifikatës familjare, përbëhet nga 5 persona, ku përfshihen çifti Bujar dhe Shegë Salianji, dy djemtë nga martesa e tyre Ervin dhe Xhenis Salianji si dhe djali tjetër, vëllai tyre Klodian Xhengo ardhur nga martesa e mëparshme e nënës së tyre Shega me Bujar Xhengon. Por me sa duket për shkak të problemeve me drejtësinë në vendet e Evropës ku ka qëndruar për disa kohë, ai ka ndryshuar gjeneralitetet e tij. Pikërisht e shkuara kriminale e të vëllait duket se ka detyruar ish-deputetin demokrat që, për hir të karrierës së tij politike, të shkojë gjer në mohimin e lidhjeve të gjakut me vëllain e tij, jo vetëm duke mos e përmendur, por gjer në mohimin e ekzistencës së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *