Zbulohet renditja e re e 10 kompanive më të mëdha në Shqipëri për vitin 2017.

Në renditje mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese, ato që vetëm faturojnë, ndërsa përpunuesit po zhvendosen gjithnjë e më shumë drejt fundit të listës.

1. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE)Për të katërtin vit radhazi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka deklaruar një ecuri pozitive, me të ardhura të qëndrueshme, që kur kaloi nën administrimin e shtetit në janar të vitit 2013. Të ardhurat nga aktiviteti në 2017-n ishin 53.5 miliardë lekë (rreth 404 milionë euro), me një rritje prej 3.3% me bazë vjetore, ndërsa të ardhurat totale operative (përfshirë të ardhurat e tjera, kryesisht penalitetet për pagesa me vonesë) arritën në 60.4 miliardë lekë). Për shkak të rritjes së jashtëzakonshme të shpenzimeve nga importet e larta, të detyruara nga situata e thatësirës, fitimi para taksave ra nga 21.4 në 2016-n, në 3.4 miliardë lekë. 2018-a pritet të jetë viti i fundit i mbizotërimit të operatorit të shpërndarjes, pasi ai është ndarë tashmë në tre kompani bija të shpërndarjes, furnizimit dhe shërbimit, si një detyrim ligjor, në bazë të paketës së energjisë, por synon edhe një menaxhim më të mirë.

2. Kastrati sh.a.

Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë në vend, Kastrati SH.A. ka ruajtur vendin e dytë në 2017-n, teksa aktiviteti i saj ka qenë me tkurrje të lehtë për të tretin vit radhazi. Kompania raportoi 43.1 miliardë lekë të ardhura (rreth 324 milionë euro), me një tkurrje prej 2.2% me bazë vjetore, sipas të dhënave nga bilanci i saj. Luigj Aliaj, drejtues në këtë shoqëri, thotë se xhiro në kompanitë e tregtimit të karburanteve nuk është shumë e rëndësishme, pasi është e varur nga çmimet e naftës. Në raport me të ardhurat, fitimet mbeten minimale, në 1.2 miliardë lekë para taksave, me një normë përfitueshmërie prej 2.7%.

3. Spiecapag

Spiecapag, me seli qendrore në Francë, ka fituar kontratën për projektet inxhinierike, prokurimin dhe ndërtimin e një loti prej 185 km në Greqi, midis Kipoi dhe Kavala, si dhe dy lote në Shqipëri (215 km në total), nga Bilishti në Topojë, në kuadër të gazsjellësit TAP. Në Shqipëri ka dy kompani, SPIECAPAG – Shqipëria dhe SPIECAPAG Transadriatica, të krijuara në vitin 2016. Ndërtimi i tubacioneve në terrene të vështira, me profile sfiduese dhe me afate të përcaktuara, janë fusha të ekspertizës së Spiecapag.

SPIECAPAG – Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në 2017-n, nga i nënti një vit më parë, pasi pati rritje të ardhurash prej 85% në 28 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk kishte dorëzuar ende një bilanc në datën kur “Monitor” kontrolloi në QKB për të).

Edhe sipërmarrja tjetër, SPIECAPAG Transadriatica, që ka si objektiv aktiviteti ndërtimin e linjës furnizuese të gazsjellësit TAP u rendit e 11-a, pas një trefishimi të të ardhurave në 17 miliardë lekë.

Joint Venture Renco Terna – dega e Shqipërisë, është një tjetër kompani që kryen punime infrastrukture për TAP dhe ka parë katërfishim të të ardhurave në 2017-n, për të arritur në 3.4 miliardë lekë (vendi i 72-të).

4. Bankers Petroleum

Bankers Petroleum, prodhuesi kryesor i naftës, që ka me koncesion fushën naftëmbajtëse më të madhe mbi tokë në Europë, Patos Marinzën, ka zbritur këtë vit në vendin e katërt, pavarësisht rritjes së të ardhurave në vitin 2017. Qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 24 miliardë lekë, me një zgjerim prej rreth 17%. Përmirësimi i koniunkturës së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar pozitivisht për Bankers, që vijon gjithsesi të deklarojë humbje, që për vitin 2017 u reduktuan në 4 miliardë lekë. 2017 ishte viti i parë i plotë kur Bankers ishte nën kontrollin e kinezëve të Geo-Jade Petroleum Corporation (“Geo-Jade”), e cila bleu në shtator të 2016-s të gjitha aksionet e zakonshme të emetuara dhe në qarkullim të Bankers Petroleum Ltd.

5. Europetrol Durrës Albania

Europetrol Durrës Albania ka kaluar sërish në operatorin e dytë të tregtimit të naftës në vend dhe është prej disa vitesh ndër 10 më të mëdhenjtë. Pas rënies së një viti më parë, kompania ka zgjeruar ndjeshëm të ardhurat me 44% në 21.7 miliardë lekë. Fitimi i kompanisë ishte vetëm 123 milionë lekë në vitin 2017.

6. Genklaudis

Genklaudis SH.A. është renditur në 2017-n si operatori i tretë më i madh i naftës në vend, duke ia lënë vendin e dytë Europetrol Durrës Albania. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 20.7 miliardë lekësh, me një rritje prej 30% me bazë vjetore. Pas humbjeve të vitit të kaluar, ka rezultuar me një fitim minimal.

7. Kurum Albania

Kurum Albania është ngjitur sërish në dhjetëshe, pasi falimenti për efekt ristrukturimi i shpallur në mars të vitit 2016 duket se ka funksionuar. Të ardhurat e prodhuesit dhe përpunuesit të çelikut arritën në rreth 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 44%. Arif Shkalla, drejtor i financave pranë Kurum, pohon se kreditë janë ristrukturuar dhe po shlyhen normalisht, prodhimi po rritet ndjeshëm, eksportet kanë rifilluar, shoqëria iu është rikthyer fitimeve dhe brenda 7 vjetësh, planifikon të shlyejë gjithë kreditorët.

Më 16 mars 2016, kompania hapi procedurën e falimentit në Gjykatën e Tiranës dhe më pas, më 15 prill, u hap procedura e falimentit për efekt ristrukturimi, teksa kompania parashikoi që në të ardhmen e afërt, do të kishte pamundësi pagese të detyrimeve afatshkurtra, ndaj u vendos që të kërkonte falimentimin për efekt ristrukturimi, shkruan Monitor në një analizë të fundit. Në 2016-n u bë verifikimi i gjendjeve financiare dhe i pretendimeve të kreditorëve, që rezultoi rreth 226 milionë euro, u negociua me kreditorët dhe në mes të vitit 2017 u miratua plani i organizimit të kompanisë që parashikonte kthimin e detyrimit dhe interesave deri në vitin 2023 dhe u ristrukturuan kreditë.

Riorganizimi i shoqërisë, ristrukturimi i kredive, së bashku me rritjen e çmimeve të metaleve në tregjet ndërkombëtare bënë që performanca e kompanisë të përmirësohej ndjeshëm në vitin 2017. Të ardhurat e tatueshme arritën në 20 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 70%. Për herë të parë pas dy vitesh radhazi me humbje, Kurum deklaroi fitime operative prej 932 milionë lekësh dhe fitim në bilanc prej 364 milionë lekësh. Më e dobët ishte performanca e hidrocentraleve, të ardhurat e të cilëve ranë me 30% për shkak të thatësirës.

8. Banka Kombëtare Tregtare

Banka Kombëtare Tregtare, që prej disa vitesh, është banka më e madhe në vend në të gjitha drejtimet, asetet, kredinë, depozitat dhe të ardhurat, ka vijuar të ruajë pozicionin e saj në 10 më të mëdhenjtë. Qarkullimi i saj vjetor, sipas raportimit në bilanc, ishte rreth 19.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10% në raport me vitin e mëparshëm. Banka deklaroi fitime para taksave prej 8.4 miliardë lekësh.

Z. Seyhan Pencapligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) është shprehur optimist në një intervistë të mëparshme për “Monitor” lidhur me ecurinë e 2018-s. “Do të jetë një tjetër vit pozitiv në sektorin bankar dhe ne presim përmirësim të mëtejshëm të portofolit të kredive të këqija. Këto mund të konsiderohen si hapa drejt normalizimit pas periudhës së krizës, e cila prodhoi një efekt negativ në të gjitha aspektet e sistemit bankar, madje edhe për ekonominë në tërësi. Pritshmëritë pozitive për rritjen ekonomike dhe nismat e Partneritetit Publik Privat të qeverisë po nxisin optimizmin më tej. Gjithashtu, ne kemi vendosur objektiva optimistë për 2018-n, kemi synimin që të financojmë rritjen ekonomike të vendit”, ka pohuar ai.

9. Eroil

Eroil, me aktivitet në tregtimin me shumicë të karburanteve, është një hyrje e re ndër 10 më të mëdhenjtë në vend, pas trefishimit të aktivitetit në 18 miliardë lekë. Pavarësisht xhiros së lartë, fitimi ishte vetëm 2.6 milionë lekë. Kompania është krijuar në 2013-n dhe në vitin 2016 hyri ndër 100 më të mëdhatë, duke u renditur në vendin e 29.

10. Vodafone Albania

Operatori më i madh i telefonisë së lëvizshme në vend, Vodafone, ka raportuar të ardhura prej 17.2 miliardë lekësh në vitin 2017, pothuajse të pandryshuara nga një vit më parë, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit).

MË TË LEXUARAT

Do shkriheni së qeshuri, disa gabime trashanike në filmat e famshëm

Ekskluzive/ I ati i masakroi të dashurin me kaçavidë, vajza rrëqeth me fjalët: Ols pse s’më dëgjove?

Nuk janë ashtu siç duken

I dashuri i zbulon tradhtinë, vajza nga Elbasani: Unë të blej ty me lekë

Pa të brendshme fare e me pak tyl në trup, këngëtarja shqiptare i “vë flakën” Instagramit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *