Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme, ku një 28-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri në Tiranë.

Bëhet fjalë për Mario Majollarin, i cili është qëlluar me tre plumba në kokë nga persona të paidentifikuar teksa po ecte në një rrugicë të pandriçuar afër banesës së tij, në Kinostudio.

Besohet se autorët kanë qenë në makinë në momentin që kanë qëlluar në drejtim të tij, ndërsa pas krimit, ata janë larguar në drejtim Tufinës, rrugë kjo që të çon për në Dajt.

Sapo ka ndodhur ngjarja, banorët e lagjes kanë njoftuar menjëherë policinë e cila ka rrethuar vendin e krimit, ndërsa postblloqe të shumta janë ngritur për kapjen e autorëve. Po ashtu, në polici janë shoqëruar edhe disa persona, të cilët me dëshmitë e tyre mund të ndihmojnë hetuesit për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë.

Mario Majollarin nuk ishte i njohur për publikun shqiptar dhe as për policinë, por e kundërta ishte për babain e tij, Avni Majollarin. Në vitin 2000, Avni Majollari, pas një konflikti të çastit, kishte vrarë dy persona, Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzi.

Edhe pse para 4 vitesh ai ishte arrestuar si dhe dënuar me burgim të përjetshëm për dy vrasjet e kryera, frika për hakmarrje ka qenë gjithnjë shqetësim për djalin e tij, 28-vjeçarin, Marion.

Dhe për këtë, i riu kishte ikur drejt Suedisë para tre vitesh ku edhe kishte kërkuar azil, sepse nëse do kthehej në Shqipëri do ishte në rrezik për jetën. Por, autoritetet suedeze nuk janë bindur për rrezikun që i kanosej të riut nga e shkuara e të atit, dhe për këtë kanë vendosur që t’ia refuzonin azilin, duke e dënuar në një farë mënyre me vdekje.

Dhe e keqja ndodhi. Mbrëmjen e sotme, teksa ecte në lagjen e tij, persona të paidentifikuar e qëlluan me vdekje. Express mëson se 28-vjeçari kishte mbaruar shkollën e lartë për Turizëm dhe njihej si person i qetë dhe pa probleme.

Policia ka ngritur një grup të posaçëm për të identifikuar autorët e krimit, ku pista kryesore ku po heton grupi hetimor është ajo e hakmarrjes.

/GazetaExpress/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *