Fundjava me diell të fortë dhe mot të ngrohtë, me sa duket, na ka gënjyer të gjithëve. Nga parashikimet e orëve të fundit, sinoptikanët thonë se shirat do të nisin sërish, madje qysh në orët e fundit të mbrëmjes së sotme dhe kryesisht e hëna do të risjellë reshjet në të gjithë territorin e vendit.

Kështu, sipas parashikimeve të IGJEUM, orët e fundit të ditës së diel dhe gjatë ditës së hënë priten reshje në të gjithë territorin. Në qarkun Shkodër dhe Lezhë reshjet priten të jenë intensive dhe lokalisht shumë intensive, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara edhe me shtrëngata. Shumica e reshjeve priten gjatë ditës së hënë.

IGJEUM parashikon nga llogaritjet hidrologjike se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të kenë prurje dhe nivele të larta. Në basenin Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojë ulja e prurjeve në pjesët e larta malore duke përfshirë edhe kaskadën e hidrocentraleve mbi lumin Drin. Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të ngelen të larta për shkak të rritjes së shkarkimit të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës në Lumin Buna. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet.

Temperaturat

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 8 / 18 °C

në vendet e ulëta: 6 / 18 °C

në vendet malore: 4 / 15 °C.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *